KosovaLive360

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dhënë deklaratë pas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për krijimin e Qeverie së re.

“Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne po ashtu rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vëjë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni.

Ne dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Agjendën Evropiane për Reformë dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës. Ne nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshhme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërheqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Ne po ashtu nxisim Qeverinë dhe Kuvendin që të procedojnë, sa më shpejtë që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve”.

Të Rekomanduara