KosovaLive360

Drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë shpalosur të enjten strategjinë dhe objektivat e AAK-së për arsimin në vend, me moton “Gjithëpërfshirje, cilësi, depolitizim”.

“Departamenti i Arsimit në kuadër të Aleancës ka përgatitur strategjinë në të cilën përfshihen cilësia e arsimit në të gjitha nivelet, gjithëpërfshirja apo mospërfshirja në arsimin fillor dhe të mesëm dhe depolitizimi i arsimit dhe institucioneve që lidhen me të”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në hapje të konferencës për media.

Jonuz Salihaj, udhëheqës i Departamentit të arsimit në AAK, tha se kjo aleancë në programin e saj do të kujdeset për përfshirje të planifikuar të të gjithë fëmijëve në arsimin parauniversitar sipas ligjeve në fuqi, si dhe nuk do të lejojnë konflikte interesi dhe politizim të skajshëm të arsimit për nevojat e politikës ditore.

AAK-ja ka reaguar ndaj raportit të publikuar të ministrit të Arsimit, Ramë Buja, për punën e gjashtëmujorit të parë të vitit 2013.

AAK konsideron e ministri Buja ka folur për prioritetet në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë, bazuar në strategjitë ekzistuese, andaj sipas AAK-së, nga paraqitja shihet se këto strategji nuk janë lexuar fare.

Sipas AAK-së “nuk janë realizuar objektivat e përfshirjes në tri segmentet e arsimit parashkollor, çerdhe, kopshte dhe arsim parafillor. Në çerdhe dhe kopshte janë të përfshirë vetëm 5.389 fëmijë, kurse në arsimin parafillor mbi 10 mijë fëmijë nuk e ndjekin këtë shkallë të edukimit.

Në arsimin e obliguar nëntëvjeçar janë mbi 30 mijë fëmijë jashtë bankave shkollore, kurse shkalla e përfshirjes së nxënësve në shkollën e mesme po ashtu është më e vogla në rajon.

Ministri i Arsimit flet për trajnimin e edukatorëve për zbatimin e standardeve në fëmijëri të hershme, por nuk tregon ku aplikohen këto standarde, kur shumica absolute e fëmijëve janë jashtë institucioneve edukativo-arsimore”.

Salihaj tha se edhe tani, kur jemi në prag të vitit shkollor 2013/2014 ministri i Arsimit flet për dokumentin, i cili është në fazën e parapilotimit.

“Ministri flet për procesin e licencimit të 17.400 mësimdhënësve, por nuk përmend konfliktin e interesit që në krye të Komisionit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve është personi me post politik, zëvendësi i tij,  i cili mban edhe postin tjetër, atë të kryetarit të Komisionit Shtetëror të Maturës”, tha Salihaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se edhe pse është pauza mes viteve, prapë se prapë edhe ato zhvillime që ndodhin në këtë kohë do të ndikojnë direkt në cilësinë e arsimit. /d.sherifi/

Të Rekomanduara