KosovaLive360

Organizata mediale KosovaLive para zgjedhjeve lokale të fund tetorit 2017 ka mbajtur tetë punëtori “Votuesit e ri për një të ardhme më të mirë” me të rinjtë të moshës 18 deri 22 të cilët votojnë për të parën herë, si një platformë ku ata do t’i identifikonin nevojat e tyre në komunat ku jetojnë, dhe e cila do të shërbente edhe si stimulim për pjesëmarrje në procesin e votimeve.

Në fokus të këtyre punëtorive interaktive votuesit e rinj janë njoftuar me programet e kandidatëve të cilët garonin në zgjedhje për kryetarë komunash dhe asambleistë, i kanë analizuar premtimet e tyre dhe kanë ngritur problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe bashkëqytetarët e tyre.

Në çdo punëtori kanë marrë pjesë dhjetra votues të rinj të cilët në bashkëpunim me trajnerët kanë  dekonstruktuar programet politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe nëse këto programe kanë pasur ndikim në orientimin e tyre politik.

Punëtoritë janë mbajtur në qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe ato me banorë shumicë serbe: Prishtinë, Graçanicë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Veriu i Mitrovicës, Pejë dhe Gjakovë. Të gjitha këto komuna dhe punëtoritë do të portretizohen veç e veç në javët në vijim. 

Shpresa se vota mund të sjellë një qytet më të pastër dhe turizmin

Komuna e Pejës është e njohur nga qendra turistike Gryka e Rugovës, por sidomos prej pranverës deri në fund të vjeshtës, vizitorët dhe turistët e huaj që janë gjithnjë e më shumë, menjëherë mund të vërejnë mungesën e kontejnerëve, dhe për ç’arsye turistët e papërgjegjshëm e hedhin bërllokun pranë rrugës.

Komuna ballafaqohet edhe me problemin e ujërave të zeza, që i ndotin lumenjtë, me mungesën e qendrës për persona me nevoja të veçanta, por edhe të çerdheve, por ajo që e dallon këtë komunë nga të tjerat në Kosovë është se të rinjtë, edhe pse e përmendin, nuk e kanë në rend të parë problemin e papunësisë.

Megjithatë, kandidatët për kryetarë komune në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 22 tetorit 2017, vëmendje të veçantë i kanë kushtuar zgjidhjes së çështjes së hedhurinave por edhe turizmit, ku shohin mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës.

Këto dy çështje, ngusht të lidhura, ishin edhe temë diskutimi i votuesve të rinj gjatë punëtorisë në Pejë, të organizuar nga shtëpia mediale KosovaLive, para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Votuesit e rinj që morën pjesë në këtë punëtori, kanë konsideruar se është e rëndësishme të marrin pjesë në zgjedhje, dhe se votën e tyre, duke e zgjedhur kryetarin e “drejtë”, e kanë konsideruar si instrument për arritjen e synimeve.

Kështu ka mundur të dëgjohet edhe konstatimi se vota individuale nuk ka ndonjë ndikim, por nëse në zgjedhje do të dilte një numër i madh i qytetarëve, do të mund përmirësohej apo ndryshohej e ardhmja.

Një pjesëmarrës tjetër ka thënë se me daljen e tij në zgjedhje dëshiron të jetë në mesin e atyre qytetarëve ambicioz që duan ndryshime, dhe se mu kjo vote do të mund të ishte vendimtare për më shumë gjelbrim në qytet, për qytet më të pastër, për zhvillimin e turizmit dhe zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera.

“Nëse nuk votojmë, as nuk kemi drejtë të ankohemi”, është konkludimi kryesor i pjesëmarrësve të punëtorisë, kur bëhet fjalë që për të parën herë t’ia japin votën e tyre kandidatit për kryetar të komunës apo kuvendarëve komunal.

Në zgjedhjet lokale në komunën e Pejës kanë marrë pjesë shtatë kandidatë, ku dy parti politike kanë kandiduar gratë: Sebiha Shala ka garuar në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Eneida Kelmendi për partinë Fjala. Për kryetari të komunës edhe për një mandat ka garuar Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa kundërkandidatë të tij ishin edhe Fatmir Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bashkim Nurboja nga Lëvizje Vetëvendosje!, Sali Kelmendi nga Nisma dhe Reshat Nurboja si kandidat i partisë Alternativa.

Në anketën me votuesit e punëtorisë, të gjithë pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të dalin në zgjedhje dhe do të votojnë për kryetarin e komunës dhe përfaqësuesit komunalë.

Ndryshe, komuna e Pejës disponon me buxhet prej gati 96 milionë euro, mirëpo për investime kapitale në mandatin e kaluar katërvjeçar janë shpenzuar vetë 5 milionë e 820 mijë euro.

Kandidati kryesor për kryetar komune, Gazmend Muhaxheri gjatë fushatës parazgjedhore ka theksuar se kjo shumë ishte investuar në asfaltimin e 307 kilometra rrugë, 51 mijë metra kanale për ujitje, sikur edhe 66 mijë metra të kanalizimit, dhe se nëse fiton do të investojë në ndërtimin e dy fabrikave për pastrimin e ujërave të zeza. Ai poashtu kishte theksuar se në komunën e Pejës janë identifikuar 220 deponi ilegale të hedhurinave, dhe se numri më i madh i tyre është eliminuar. Ai po ashtu pret mbi gjysmë milionë euro donacionesh që do të investoheshin në zgjidhjen e problemit të hedhurinave.

Kundër kandidatët e tij për kryetarë komune kanë konsideruar se Muhaxheri është fajtori kryesor që komuna tenderin, në vend kompanisë publike “Ambienti”, përgjegjëse për mbledhjen e hedhurinave,  ia kishte dhënë kompanisë private “Lika”. Muhaxheri, ndërkaq, pohon se kompania “Ambienti” kishte marrë donacionin e GIZ-it, ndërkohë që kjo kompani tjetër përkujdeset për pastrimin e rrugëve, gypave të kanalizimit, dhe ngjashëm.

Institut GAP, në një hulumtim të tij, kanë vlerësuar të keq menaxhimin e hedhurinave, përfshirë edhe mungesën e numrit të mjaftueshëm të kontejnerëve më shumë pjesë të qytetit. Si problem të dytë, ky hulumtim përmend edhe inspektorët të cilët nuk i ndëshkojnë qytetarët që e ndotin ambientin jetësor.

Brengosëse është sidomos ndotja e Grykës së Rugovës, meqë as në këtë pjesë malore, turistike të komunës, inspektorët nuk e kryejnë obligimet e tyre në raport me bizneset, me kompaninë përgjegëse për mbledhjen e mbeturinave, dhe në raport me qytetarët të cilët ndikojnë në ndotjen e ambientit jetësor, e më këtë rrezikohet edhe imixhi i komunës si qendër të rëndësishme turistike.

Shumica e votuesve të ri, pjesëmarrësit të punëtorisë, janë të mendimit se hedhja e hedhurinave në komunën e Pejës, sidomos në zonën malore turistike të Grykës së Rugovës mund të zgjidhet.

Ajo që mbetet si problem, është zgjidhja e problemit të kanalizmit dhe ujërave të zeza, mu në këtë zone turistike.

Supozohet se duhet të bëhen përmirësime të mëdha me ndërtimin e qendrës turistike, gjegjësisht të skijimit.

Ideja për realizimin e projektit daton që nga vitet ’70-ta, dhe vetëm është dhënë një emërtim e ri.

Të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave kanë konsideruar se projekti që e ka riaktualizuar Gazmend Muhaxheri edhe në mandatin e kaluar duhet të përkrahet edhe pse kritika të mëdha janë drejtuar për shkak të jotransparencës kur janë në pyetje investimet dhe kompania që të realizojnë këtë projekt.

Ndryshe, Muhaxheri vitin e kaluar, pas procedurës së tenderit, në partneritet publiko-privat, e ka shpallur fitues konsorciumin italian-slloven “Leitners AG SPA & FILAV SA” e planifikohet që ky projekt, në të cilin do të investohen 54 milionë euro, të kryhet deri në fund të vitit 2019. Në studimin e fizibilitetit është paraparë që gjatë viti  kjo Qendër dhe qyteti i Pejës të ketë 240 mijë turistë vendor dhe të jashtëm.

Me zhvillimin e turizmit dhe hotelierizmit, kandidati për kryetar të komunës konsideron se do të krijohet hapësira për qindra vende të reja pune, kështu që kjo qendër do të jetë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik jo vetëm në këtë, por edhe në komunat e tjera, si për shembull në Deçan dhe Gjakovë.

Në zgjedhjet lokale në komunën e Pejës kanë marrë pjesë shtatë kandidatë, ku dy parti politike kanë kandiduar gratë: Sebiha Shala ka garuar në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Eneida Kelmendi për partinë Fjala. Për kryetari të komunës edhe për një mandat ka garuar Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa kundërkandidatë të tij ishin edhe Fatmir Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bashkim Nurboja nga Lëvizje Vetëvendosje!, Sali Kelmendi nga Nisma dhe Reshat Nurboja si kandidat i partisë Alternativa.

Të drejtë vote në komunën e Pejë kanë pasur 110.691 qytetarë të komunës së Pejë, e këtë të drejtë kanë shfrytëzuar 40.31 për qind, gjegjësisht 44.576 qytetarë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor gjatë zgjedhjeve, pati gjithsej 719 fletëvotime të pavlefshme, të parregullta apo të paplotësuara.

Kandidati Gazmend Muhaxheri fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve me 50.2 për qind të votave, gjegjësisht për të votuan gjithsej 22.014 qytetarë të komunës së Pejës.

Në periudhën parazgjedhore, në periudhën e raundit të dytë të zgjedhjeve (19 komuna) dhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, organizata mediale KosovaLive njëherësh ka realizuar edhe disa anketa me votuesit e rinj në Kosovë. Synimi i anketave ishte arritja te përgjigja rreth informimit të votuesve kur bëhet fjalë për procesin e votimit, kriteret që ndikojnë që votën e tyre t’ia japin njërit apo tjetrit kandidat. Një pjesë e anketës kishte të bënte edhe me informimin e tyre rreth kompetencave të komunave.

Në anketën me pjesëmarrësit e punëtorisë “Votuesit e ri për një të ardhme më të mirë”, të kryer pas zgjedhjeve, të gjithë konfirmuan se kishin  shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike të votës.

Mu sikur të votuesit e rinj në komunat e tjera, edhe pejanët që dolën në zgjedhje për të parën herë, deklaruan se votën e tyre e kishin determinuar premtimet dhe programet e kandidatëve për kryetarë komune.

 

Nga ana tjetër, po ashtu shumica janë përgjigjur pozivisht në pyetjet nëse besojnë se kryetari i ardhshëm i komunës do të realizonte premtimet e tij për projektin “Borea” dhe për pastrimin e qytetit nga mbeturinat.

 

 

Të Rekomanduara