KosovaLive360

Në kuadër të Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas, lansohet zyrtarisht ueb platforma (www.beba-ks.comme informata të bazuara në dëshmi e qasshme në tri gjuhë për nënat, baballarët e familjarët në Kosovë.

Vajzë apo djalë: kush dhe çka e vendos?; Si të bëheni super baba?; Cilat janë pozitat më të mira për të ndihmuar me dhimbjet e lindjes?; Cili është kalendari i imunizimit të fëmijës suaj?; Çka duhet të dini rreth kujdesit pas lindjes? – janë vetëm disa nga shumë informata interesante e të rëndësishme qe sjell Beba-ks.

Ky portal elektronik jep informata mbi teknikat për gjidhënie, lindje, ushtrime gjatë shtatzënisë, gjeni qasje në aplikacione rreth kalkulimit të kontraksioneve, rritjes së volumit të qumështit të gjirit, udhëzues për fjetjen e foshnjes, udhëzues për të ushqyerit e fëmijës dhe gjithçka keni nevojë pa dyshuar në vërtetësinë e informatave.

Në këtë portal nuk do të gjeni mendime dhe thashetheme, mirëpo do të gjeni informacione nga burimet më të sigurta në Kosovë dhe botë. “Beba-ks është i vetmi portal i këtij lloji, që ofron këshilla në tri gjuhë dhe është i përshtatur posaçërisht për eksperiencën në Kosovë. Misioni ynë është t’ju ndihmojmë që të keni eksperiencën më të mirë gjatë shtatzënisë, lindjes së foshnjës dhe të qenit prindër, dhe gjatë këtij procesi të shpëtojmë jetë,” shprehet Albiona Beha, koordinatore e projektit në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.

Qasja në informata të sakta, të bazuara në dëshmi, mbetet  faktor i rëndësishëm në uljen e shkallës së vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve, shkallë kjo që në Kosovë vazhdon të jetë shumë e lartë.

Të Rekomanduara